Një krim i rëndë dhe tronditës ka goditur botën e kinemasë amerikane. Regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michelle Reiner, janë gjetur të pajetë brenda banesës së tyre në Los Angeles, pasditen e së dielës. Sipas mediave amerikane, të dy dyshohet se janë masakruar me thikë.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet, ndërsa si i dyshuar kryesor për vrasjen është identifikuar djali i çiftit, Nick Reiner. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ai kishte probleme me drogën dhe për vite me radhë kishte jetuar si i pastrehë.
Kush ishte Rob Reiner
Rob Reiner ishte një nga emrat më të njohur të kinemasë amerikane, me një karrierë të gjatë si regjisor, producent dhe aktor. I lindur më 6 mars 1947 në New York City, ai u bë fillimisht i famshëm si aktor falë rolit të tij në serialin televiziv ikonik All in the Family.
Që nga vitet ’80, Reiner iu përkushtua regjisës, duke realizuar disa prej filmave më të suksesshëm dhe më të dashur për publikun. Në mesin e veprave të tij më të njohura janë Stand By Me, The Princess Bride dhe When Harry Met Sally…, filma që e vendosën atë mes figurave kyçe të kinemasë moderne amerikane.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Hollywood dhe në opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij krimi brutal.

