Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar në emisionin “Now” në Euronews Albania zhvillimet më të fundit lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe hetimet që po zhvillohen për tenderat në AKSHI, ku rezultojnë të përfshirë disa biznesmenë.
Sipas Karamuços, pritet seanca e verifikimit të kushteve, e cila pritet të zhvillohet brenda pak ditësh, për të qartësuar provat mbi të cilat mbështetet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme. Ai theksoi se akuzat janë serioze dhe se duhet parë nëse bëhet fjalë për një kallëzim nga ndonjë biznesmen që pretendon dhunë apo heqje të paligjshme të lirisë, apo nëse ka elementë të tjerë provues që e mbështesin dosjen. Sipas tij, aktualisht hetimet ndodhen ende në fazën paraprake dhe përfshijnë kryqëzim të dhënash.
I pyetur për mungesën e masave ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, Karamuço u shpreh se deri tani nuk ka një sqarim zyrtar nga autoritetet dhe se ky informacion duhet të vijë nga policia. Ai shtoi gjithashtu se Dubai nuk konsiderohet më një destinacion i sigurt për personat që tentojnë t’i shmangen drejtësisë, duke theksuar se janë identifikuar vende të tjera më “komode” për arratisje.
Në përfundim, eksperti i kriminalistikës vuri në dukje se bëhet fjalë për një hetim kompleks, që lidhet me aspekte administrative dhe ekonomiko-financiare të bizneseve, të cilat analizohen paralelisht nga prokurorët dhe ekspertët financiarë të SPAK. Sipas tij, pa këtë analizë të thelluar financiare, hetimet paraprake nuk mund të avancojnë.

