Pas tre vitesh në krye të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka lënë përfundimisht zyrën e drejtuesit, të njohur si zyra me “kolltukë të zinj”, duke u zhvendosur në një ambient tjetër pune.

Burime për gazetarin Elton Qyno bëjnë me dije se Dumani është sistemuar në zyrën që për gjashtë vite me radhë është mbajtur nga Klodian Braho. Zyra ndodhet në anën tjetër të korridorit të SPAK, larg zyrës së shefit aktual të institucionit.

Ditën e djeshme, Dumani ka transferuar në këtë zyrë të gjitha aktet hetimore të dosjeve penale që ka në ngarkim, duke vijuar punën si prokuror i thjeshtë. Ky status do të mbetet i tillë deri në një vendim të dytë të drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Braho, i cili pritet të vendosë për riorganizimin e tre sektorëve drejtues dhe të qartësojë nëse Dumani do të emërohet shef sektori apo do të vijojë si prokuror i zakonshëm.

Aktualisht, Altin Dumani do të punojë në të njëjtin korridor me prokurorë të tjerë të SPAK, mes tyre Arben Kraja, drejtuesi i parë i këtij institucioni, Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Enkeleda Millonai, Alfred Shehu, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.

Ndërkohë, Dumani do të ndjekë në fazën e gjykimit një pjesë të procedimeve penale që ka hetuar, duke përfaqësuar çështjet në gjykatë, aty ku zhvillohet përballja e provave mes palëve në proces.

SPAK ka njoftuar gjithashtu se ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te Klodian Braho do të zhvillohet sot në orën 10:00, në Sallën e Mbledhjeve të institucionit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *