Mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku do të shqyrtohej kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin nga seancat parlamentare të 29 deputetëve të Partisë Demokratike, është shtyrë për të martën në orën 10:00.
Deputetët e PD-së u paraqitën në mbledhje, ku argumentuan se kërkesa për masa disiplinore ndaj tyre është e padrejtë dhe e pabazuar. Shtyrja e mbledhjes u kërkua nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, me arsyetimin se opozita duhet të njihet paraprakisht me provat e paraqitura nga maxhoranca.
Bardhi theksoi se në kërkesën e PS janë përfshirë edhe deputetë që, sipas tij, nuk kanë qenë pjesë e kaosit në sallën e Kuvendit. Ai akuzoi maxhorancën se synon të fshijë opozitën nga Parlamenti përmes masave disiplinore masive.

