Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka shprehur shqetësime serioze rreth vdekjes së Slavko Aleksiqit, një “vojvodë çetnik” i vetëshpallur dhe ish-komandant i një njësie paramilitare, ku sipas tij kishte shërbyer edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Margetiq deklaroi se Aleksiqi ishte një nga dëshmitarët kryesorë lidhur me përfshirjen e dyshuar të Vuçiqit në krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë ngjarjen që ai e ka quajtur “Sarajevo Safari” në Sarajevë.

Ai theksoi se Aleksiqi kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore deri rreth dhjetë ditë më parë dhe kishte dhënë deklarata publike në mbështetje të Vuçiqit. Megjithatë, lajmi për vdekjen e tij u shpërnda papritur pak ditë pasi ishte shtruar në Spitalin Ushtarak në Beograd.

“Aleksandar Vuçiq, sipas zakonit të vjetër, po eliminon dëshmitarët. Sapo mora vesh se komandanti i tij në Sarajevë ka vdekur ‘magjikisht’ në një spital në Beograd”, deklaroi Margetiq, duke shtuar se po zhduken dëshmitarët e krimeve të Vuçiqit.

Sipas gazetarit, pas ndërhyrjes së shërbimit sekret serb (BIA), Aleksiqi ishte transferuar për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku ndodhi vdekja e tij “në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme”.

Slavko Aleksiq, udhëheqësi çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Detashmenti çetnik i Sarajevës së re”, vdiq sot në Trebinje në moshën 69-vjeçare, sipas mediave të Bosnjë e Hercegovinës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *