Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump-i, ka vendosur të pezullojë përkohësisht programin e Lotarisë së Kartës së Gjelbër (Diversity Visa – DV), pas ngjarjes së rëndë të ndodhur javën e kaluar në Universitetin Brown, ku dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.
Vendimi u konfirmua nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila bëri të ditur se pezullimi është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Trump. Sipas saj, masa synon të parandalojë çdo rrezik të mëtejshëm për qytetarët amerikanë, duke e cilësuar programin si problematik për sigurinë kombëtare.
Autoritetet amerikane kanë identifikuar si të dyshuar kryesor 48-vjeçarin portugez Claudio Neves Valente, i cili u gjet i pajetë të enjten në një depo në Salem, New Hampshire. Sipas të dhënave zyrtare, ai kishte hyrë në SHBA në vitin 2017 përmes programit të lotarisë së diversitetit dhe ishte pajisur me Kartë Jeshile.
Zyrtarët dyshojnë gjithashtu se Neves Valente është i përfshirë në vrasjen e profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në banesën e tij në Brookline, dy ditë përpara sulmit në Universitetin Brown. Të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve ’90.
Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter Neronha, deklaroi se provat e gjetura në një automjet pranë vendit ku u zbulua trupi i të dyshuarit përputhen me vendngjarjen e sulmit në Universitetin Brown. Policia arriti të identifikojë autorin pas një kërkimi gjashtë-ditor në disa shtete, falë pamjeve të kamerave të sigurisë dhe informacioneve të ardhura nga publiku.

