Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vijon me deklaratat kërcënuese në drejtim të Kosovës dhe qeverisë së saj.
Vuçiç foli para mediave në Beograd duke deklaruar se mesazhi i tij për serbët e Kosovës është se nuk ka patur dhe nuk do të ketë dorëzim. Sipas tij, serbët e Kosovës janë detyruar të ngrenë barrikada si vetëmbrojtje ndaj atij që Vuçiç e quajti agression i policisë së Kosovës.
Presidenti serb kërkoi sërish themelimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë si e vetmja zgjidhja e mbetur për qetësimin e situatës dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndaj deklaratave të presidentit serb reagoi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi vendosmerinë e shtetit të Kosovës për t’u mbrojtur nga çdo lloj forme agresioni të provokuar nga Serbia. Kurti akuzoi direkt Beogradin si organizator dhe nxitës të grupeve kriminale në veriun e Kosovës të cilat sulmuan policinë e Kosovës, gazetarët dhe së fundmi dhe misionin e EULEX-it të pranishëm në veri.