Prokuroria e Posaçme ka thirrur këtë të premte kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, për t’i komunikuar zyrtarisht mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes për gjykim. Beci është marrë i pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, së bashku me shtatë persona të tjerë.
Hetimi lidhet me tenderin e vitit 2019 “Zhvillimi strategjik i sektorit energjitik”, një projekt kërkimor me fond prej 700 mijë eurosh, për të cilin SPAK ka konstatuar shkelje dhe abuzime. Mes të pandehurve është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi. Ruko është paraqitur më herët në SPAK, ku ka marrë dijeni dhe ka firmosur për mbylljen e hetimeve të premten e kaluar.
Të pandehur të tjerë në këtë çështje janë Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. Benet Beci është hetuar në gjendje të lirë, ndërsa sipas SPAK, vepra penale dyshohet se është kryer në periudhën kur ai mbante detyrën e titullarit të KESH (Korporata Elektroenergjitike Shqiptare).

