Analisti dhe publicisti Dritan Hila ka reaguar ashpër lidhur me informacionet se SPAK disponon përgjime telefonike që përfshijnë komunikime të zv/kryeministres dhe, rrjedhimisht, edhe të kryeministrit, duke e cilësuar situatën si një skandal të pashembullt për shtetin shqiptar.
Sipas Hilës, pavarësisht emrave konkretë të përfshirë, fakti që komunikimet mes dy prej figurave më të rëndësishme të shtetit bien në duar të palëve të treta përbën një problem serioz, që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Ai thekson se komunikimi në telefona të hapur nga anëtarë të qeverisë, ushtrisë dhe shërbimeve inteligjente duhet të marrë fund.
“Nëse ka ndodhur, kjo është një pakujdesi e rëndë e drejtuesve të shtetit, që komunikojnë me telefona të pakriptuar në rrjete të hapura. Minimalisht, këto komunikime bien në dorë të operatorëve që nuk kanë certifikata sigurie,” shprehet Hila.
Ai nënvizon se fshehtësia e komunikimit shtetëror nuk është luks, por domosdoshmëri për funksionimin e një shteti serioz. Sipas tij, një drejtues i zgjedhur politikisht apo një anëtar qeverie jep urdhra që lidhen me arsye shtetërore, të cilat nuk duhet të dëgjohen nga “veshë të papërshtatshëm” dhe as të kthehen në materiale për publikun.
“Një shtet ka vitrinën dhe halën e tij, por halenë nuk mund ta vizitojë gjithkush,” shprehet ai, duke shtuar se shtetet serioze kanë tenderë sekretë për ushtrinë dhe shërbimet inteligjente, fonde të fshehta dhe dhjetëra sekrete të tjera që nuk mund të ekspozohen.
Hila kritikon edhe praktikën e përgjimeve ndaj zyrtarëve të lartë, duke theksuar se këto nuk duhet të jenë objekt hetimi. Sipas tij, SPAK mund dhe duhet të hetojë krimin ekonomik dhe shkeljet ligjore, por vetëm mbi bazën e dokumenteve dhe procedurave formale, jo mbi biseda telefonike që shpesh janë jashtë kontekstit.
“Shkeljet e ligjit mund të faktohen nëpërmjet letrave, jo nëpërmjet bisedave,” thekson ai, duke shtuar se përgjimet duhet të përdoren për trafikantë dhe kriminelë, jo për drejtuesit e shtetit.
Ai sjell si shembull edhe raste të tenderëve sensitivë, ku, sipas tij, kryeministri mund të ndërhyjë për arsye politike apo strategjike, si në rastin e një tenderi për rrjetin 5G, pa qenë kjo domosdoshmërisht objekt hetimi penal.
Në përfundim, Dritan Hila shprehet se SPAK ka të drejtë të hetojë krimin ekonomik, por paralajmëron se “nuk mund të shthurë shtetin”, duke e cilësuar publikimin dhe përdorimin e përgjimeve të zyrtarëve të lartë si një praktikë të rrezikshme për funksionimin e shtetit.

