Adriatik Lapaj ka vijuar sot protestën e tij përpara Kryeministrisë, duke zgjedhur këtë herë një formë simbolike për të përcjellë mesazhin se nuk do të heqë dorë nga nisma e tij. Ai ka vendosur të qethet publikisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si shenjë këmbënguljeje dhe qëndrese.

Lapaj ka organizuar gjithashtu një vendqëndrim me karrige, të rrethuar me kartonë për t’u mbrojtur nga i ftohti, duke qëndruar në bulevard për disa orë. Sipas tij, ky veprim është një tjetër mënyrë për të treguar se për asnjë moment apo arsye nuk do ta braktisë protestën.

Ky moment është ironizuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ka publikuar pamje në rrjetet sociale, të shoqëruara me një muzikë popullore në sfond.

Në protestë i janë bashkuar kryesisht anëtarë të forcës politike që Lapaj drejton, ndërsa numri i qytetarëve ka qenë i pakët. Gjatë fjalës së tij, Lapaj është shprehur se nuk përfaqëson asnjë logo partiake dhe se thirrja e tij është e hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet, jo për interesa politike, por për interesin publik dhe qytetar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *