Gazetari investigativ Artan Hoxha ka deklaruar në emisionin “Kjo Javë” se Ergys Agasi ndodhet në një situatë tejet të rrezikshme, për shkak të njohurive dhe rolit që sipas tij ka pasur në ndërmjetësimin e interesave mes botës së krimit dhe strukturave shtetërore.
Sipas Hoxhës, Agasi ka qenë i përfshirë në koordinimin e disa operacioneve të mëdha financiare, përfshirë projekte ndërtimi me vlera shumë të larta, të cilat tashmë janë bllokuar. Ai theksoi se këto angazhime e kanë vendosur Agasin përballë rreziqeve serioze, pasi bota e nëndheshme nuk toleron dështime apo prishje marrëveshjesh.
Gazetari bëri të ditur se gjatë një kontrolli të zhvilluar nga SPAK në banesën e Agasit, autoritetet sekuestruan telefonin e tij celular, nga ku janë zbuluar të dhëna të rëndësishme që lidhen me tendera të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas Hoxhës, vlerat e këtyre tenderave nisin nga qindra miliona euro dhe kanë shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite.
Artan Hoxha u shpreh se Agasi “di shumë gjëra” dhe se përballë këtij realiteti, dorëzimi pranë autoriteteve do të ishte alternativa më e sigurt për të, krahasuar me qëndrimin në arrati. Ai shtoi se hetimet kanë zbuluar një qarkullim të jashtëzakonshëm parash dhe lidhje të forta mes institucioneve publike dhe interesave të paligjshme.

