Nga Vushtrria, kandidati për kryeministër Albin Kurti prezantoi vizionin ekonomik të Vetëvendosjes, duke paralajmëruar investime në Trepçë, rritje të pagës minimale, pensioneve dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për prodhuesit vendorë.

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar programin e saj qeverisës edhe në Vushtrri, ku kandidati për kryeministër, Albin Kurti, u zotua për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje të mirëqenies për qytetarët, duke e vendosur Trepçën në qendër të planeve zhvillimore.

Kurti theksoi se ekonomia për frymë, për herë të parë, do të tejkalojë vlerën e 10 mijë eurove, ndërsa premtoi rritje të vazhdueshme të pensioneve, mbështetje për gratë dhe një fond prej 1 miliard eurosh për prodhuesit vendorë. Ai bëri të ditur se qeveria e ardhshme synon një bashkë-investim me një korporatë ndërkombëtare në sektorin minerar, konkretisht në minierën e Trepçës.

Duke folur para mbështetësve në Vushtrri, Kurti nënvizoi se qyteti ka pasur gjithmonë rol të rëndësishëm në vendimmarrjet kombëtare, ndërsa vlerësoi edhe politikat sociale të zbatuara gjatë qeverisjes së tij, veçanërisht trefishimin e pagës minimale.

“Me 1 janar paga minimale bëhet 425 euro, ndërsa nga 1 korriku i vitit të ardhshëm arrin në 500 euro. Për një mandat është realizuar trefishimi i pagës minimale, e cila për më shumë se një dekadë kishte mbetur e pandryshuar. Pagat në sektorin publik janë rritur me 47 për qind, duke ndikuar në uljen e pabarazisë,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi se pensionet do të rriten në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe paralajmëroi masa konkrete për punësimin e grave. Sipas tij, bizneset private që punësojnë gra do të përfitojnë mbështetje prej 500 euro në muaj për gjashtë muaj, ose 3 mijë euro gjithsej për çdo të punësuar.

Në fund, Kurti rikonfirmoi se investimi dhe bashkë-investimi në Trepçë me partnerë ndërkombëtarë do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së ardhshme, duke e cilësuar ndërmarrjen minerare si një aset strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *