Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë nr.1 në Tiranë, ku theksoi arsyet pse qytetarët duhet t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për më 22 dhjetor, përpara Kryeministrisë.
Gjatë bashkëbisedimit, Bardhi u shpreh se demokratët dhe qytetarët janë të vendosur të qëndrojnë të bashkuar kundër, sipas tij, një qeverie të korruptuar të drejtuar nga Edi Rama, duke përmendur edhe Belinda Ballukun dhe Ergys Agasin.
Në një reagim publik, Bardhi deklaroi se fundi i qeverisjes aktuale po afrohet, duke e cilësuar Edi Ramën si kryeministrin më të korruptuar në historinë e shtetit shqiptar. Ai theksoi se përmes pengimit të drejtësisë, Rama po përpiqet të zvarritë proceset ligjore me shpresën për të shpëtuar veten dhe familjen e tij.
“E ka gabim. Qytetarët do të ngrihen dhe do t’i japin përgjigjen e merituar, duke nisur nga kjo e hënë”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Sipas tij, protesta e 22 dhjetorit, që do të mbahet në orën 18:00 përpara Kryeministrisë, është një thirrje për bashkim qytetar kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, duke e cilësuar mobilizimin si një moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit.

