Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar sot publikisht një rast që ai e cilëson si “vjedhje shtetërore”, duke akuzuar të kërkuarin nga SPAK-u, Ergys Agasi, se ka zhvendosur rreth 1200 shishe vere të vjetër shekullore, me një vlerë të pretenduar prej 4 milionë eurosh, nga një kantinë vere.
Sipas Berishës, zhvendosja e verës është kryer me ndihmën e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Doganave, të cilët, sipas tij, kanë lehtësuar transportin dhe nxjerrjen e saj. Ai shtoi se kantina ishte quajtur nga Agasi me emrin “Vinoteka e Edit”, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë çështje me kryeministrin Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Rama si të përfshirë në këtë aferë, duke pretenduar se 1200 shishet e verës janë marrë nga vetë kryeministri. Ai kërkoi hetim të plotë nga organet e drejtësisë dhe transparencë mbi rolin e institucioneve shtetërore në këtë rast.

