Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Athinë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë pas një përleshjeje në mes të rrugës, në rrethana dhe për motive ende të paqarta.
Sipas mediave greke, mes të plagosurve janë një shtetas shqiptar dhe një i mitur nga Rusia, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin “Evangelismos”, pasi kishin marrë plagë me thikë. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje shumë kritike për jetën, me dëmtime serioze në zonën e barkut, raporton televizioni shtetëror grek ERT.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, më 21 dhjetor, në rrugën Acharnon nr. 271, ku banorët e zonës kanë njoftuar policinë pasi dy personat e plagosur ndodheshin të shtrirë “në mes të rrugës” pas konfliktit të dhunshëm.
Autori i dyshuar i sulmit është larguar nga vendngjarja dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia greke, e cila ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

