Gazetari hulumtues kroat Domagoj Margetic ka bërë të ditur se është vënë nën presion dhe kërcënime serioze pas publikimeve të tij të fundit lidhur me vrasje të dyshuara me snajper gjatë luftës në Sarajevë në vitet ’90.
Sipas Margeticit, kërcënimi më i fundit i ka ardhur përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë me përmbajtjen alarmuese: “Mos u bëj ti i radhës”. Ai e konsideron këtë si pjesë të një fushate të vazhdueshme frikësimi, që sipas tij ka nisur prej kohësh për shkak të punës së tij investigative.
Gazetari ka treguar se edhe më herët ka marrë paralajmërime të rënda, përfshirë kërcënime për dhunë fizike në rrugën ku banon, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.
Këto presione, sipas Margeticit, lidhen drejtpërdrejt me një shkrim të publikuar prej tij, ku trajton vdekjen e dyshimtë të tre dëshmitarëve të ashtuquajturit “safari njerëzor” në Sarajevën e kohës së luftës. Në atë tekst, ai ngre pyetjen publike: “Kush është i radhës?”, duke sugjeruar se dëshmitarët mund të jenë eliminuar për të fshehur të vërtetën.
Margetic ka deklaruar gjithashtu se beson se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i përfshirë në vrasje me snajper gjatë luftës në Sarajevë, pretendime që kanë shkaktuar reagime të forta dhe, sipas tij, kanë çuar në intensifikimin e kërcënimeve ndaj tij.
“Agjentët e Vuçiqit nuk po humbasin kohë. Nga kërcënimet se një snajper mund të më godasë në rrugën time në mbrëmje, deri te ky kërcënimi i fundit”, ka shkruar gazetari kroat, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme.

