Detaje të reja dalin nga dosja hetimore e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku SPAK ka dokumentuar me pamje filmike dhjetëra takime mes Ergys Agasit, biznesmenit Ermal Beqiri dhe drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Të tre akuzohen se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas gazetares Klodiana Lala, pamjet filmike janë regjistruar nga vetë Ergys Agasi, përmes një kamere të instaluar në zyrën e tij, e cila ishte e lidhur edhe me telefonin celular. Hetuesit kanë administruar dhjetëra takime dhe biseda, të zhvilluara kryesisht gjatë vitit 2023 dhe në fillim të vitit 2024.

Në një prej bisedave të dokumentuara, biznesmeni Ermal Beqiri i drejtohet Agasit me fjalët:

“Informacioni është gjë shumë më e madhe sesa numrat”,

ndërsa Agasi reagon me habi: “Ue”.

Në një moment tjetër, Beqiri shprehet:

“Ça me i bo atit…”,

ndërsa përgjigjja e Agasit është e prerë:

“Nuk e diskutoj fare o burrë, tashi jemi goxha shumë shumë lart”.

Bisedat, sipas dosjes, hedhin dritë mbi mënyrën se si zyrat shtetërore dyshohet se ishin kthyer në “strofulla” pazaresh dhe ndikimi, ku informacioni konsiderohej aset më i vlefshëm se çdo përfitim financiar.

Një episod tjetër i rëndësishëm për SPAK është ai ku e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Në këtë takim, Ergys Agasi shprehet se ishte përgatitur një kallëzim penal ndaj një personi të quajtur Nardi, duke deklaruar:

“E ka bërë gati kallëzimin penal për Nardin se e ka nxjerrë sekretin…”,

duke vijuar më pas me shpjegime për zhvillimin e situatës. Pas kësaj bisede, Karçanaj largohet nga ambienti.

Sipas pamjeve filmike të administruara në dosje, ky takim është regjistruar më 16 mars 2024, rreth orës 20:05 të mbrëmjes.

Hetimet e SPAK vazhdojnë, ndërsa dosja e AKSHI-t pritet të zbardhë më tej rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si, sipas akuzës, pushteti dhe informacioni janë përdorur për interesa të paligjshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *