Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e radhës për dosjen “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, si dhe tre persona të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje.
Gjatë seancës, avokatët e ish-kryeministrit, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj, kanë kundërshtuar akuzat e ngritura nga SPAK, duke deklaruar se nuk ekzistojnë prova konkrete që ta lidhin Sali Berishën me veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
Sipas mbrojtjes, materiali hetimor i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme nuk përmban fakte penale të drejtpërdrejta dhe nuk provon asnjë përfitim të paligjshëm të Berishës në lidhje me procedurat që lidhen me dosjen “Partizani”. Avokatët theksuan se akuzat janë të pambështetura në prova dhe se SPAK nuk ka arritur të ndërtojë një lidhje shkakësore mes vendimmarrjeve të ish-kryeministrit dhe pretendimeve për korrupsion.

