Sekretariati i Etikës ka nisur mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste që synon përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, pas incidenteve të regjistruara në seancën plenare të 18 dhjetorit.
Gjatë mbledhjes u shfaqën pamjet filmike nga seanca, ku u panë flakadanët e ndezur dhe përplasjet me Gardën. Ndërsa deputetët Gazment Bardhi dhe Saimir Korreshi tentuan të sqarojnë se Albana Vokshi nuk ishte autore e ndezjes së flakadanëve, vetë deputetja e pranoi veprimin.
Vokshi deklaroi se ishte ajo që i ndezi flakadanët dhe se do ta përsërisë këtë akt “edhe 100 herë”, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Ajo kërkoi që në mbledhje të thirret ministri Niko Peleshi për të shpjeguar praninë e Gardës në seancë, duke theksuar se procesi nuk duhet të zhvillohet “si në kohën e Sigurimit të Shtetit”, por në transparencë dhe me praninë e mediave.
Në fjalën e saj, Vokshi ironizoi edhe kryetarin e Etikës, Ulsi Manja, duke e pyetur nëse kishte marrë mesazh nga kryeministri dhe çfarë udhëzimesh i ishin dhënë.

