Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë për të mbajtur ose shitur naftën e Venezuelës që është sekuestruar në det të hapur, duke shtuar njëherazi se do të ishte “e zgjuar” për presidentin venezuelian, Nicolas Maduro, të japë dorëheqjen.

Gjatë një prononcimi për gazetarët, Trump la të kuptohet se presioni në rritje i Uashingtonit mund të çojë në ndryshime politike në Venezuelë. I pyetur nëse synimi i SHBA-së është largimi i Maduros nga pushteti, ai u shpreh se “kjo mund të ndodhë”, duke theksuar se gjithçka “varet nga ai vetë”.

“Do të ishte e mençur që ta bënte këtë. Nëse dëshiron të luajë ashpër, kjo do të ishte hera e fundit që do të kishte mundësinë ta bënte”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan përdori një gjuhë të ashpër ndaj Maduros, duke e cilësuar atë si “jo mik të Shteteve të Bashkuara” dhe “një person shumë të keq”, ndërsa akuzoi qeverinë e Karakasit për përfshirje në trafikimin e kokainës drejt SHBA-së.

“Ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm”, shtoi Trump.

Rritje e tensioneve dhe veprime ushtarake në rajon

Këto deklarata vijnë në një moment të intensifikimit të pranisë ushtarake amerikane në rajon. Fushata e presionit ndaj regjimit të Maduros ka përfshirë rritje të aktivitetit ushtarak dhe dhjetëra operacione kundër anijeve që dyshohet se janë të përfshira në trafikun e drogës në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve, pranë Venezuelës. Sipas autoriteteve amerikane, nga këto operacione kanë humbur jetën të paktën 100 persona.

Paralelisht, Trump ka shpallur një “bllokadë” për të gjitha cisternat nën sanksione që hyjnë ose dalin nga Venezuela. Të dielën, Roja Bregdetare amerikane ka ndjekur një tanker në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve venezuelase, në një operacion që do të ishte i dyti brenda një fundjave dhe i treti në më pak se dy javë.

Sa i përket naftës së sekuestruar, Trump theksoi se po shqyrtohen disa opsione. “Mund ta shesim ose mund ta mbajmë”, u shpreh ai, duke shtuar se ajo mund të përdoret edhe për rimbushjen e rezervave strategjike të SHBA-së.

Këto zhvillime po thellojnë më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit, ndërsa mundësia e një përshkallëzimi të ri mbetet e hapur në javët në vijim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *