Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, ka deklaruar këtë të martë se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin e Gerond Meçes dhe nuk është përfshirë në aktivitetet e tenderave të AKSHI-t.
Haxhia ishte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të marrë dokumentacionin e dosjes së klientit të tij dhe tha se informacioni është shpërndarë gjerësisht në media pa u dhënë fillimisht atij apo Agasit.
“Në dosjen e SPAK nuk ka asnjë provë që vërteton se Agasi ka lidhje me fushën e tenderave apo është i përfshirë në rrëmbim. Klienti im ndodhet jashtë shtetit për të lidhur një marrëveshje biznesi dhe sapo të kthehet do të vetëdorëzohet për t’u përballur me drejtësinë,” tha Haxhia.
Ai theksoi gjithashtu se nxjerrja e të dhënave të dosjes për media komprometon hetimin dhe krijon interpretime politike: “Është një gjueti shtrigash e përdorur politikisht. Zoti Agasi nuk është ndonjë person i punësuar në shtet, por një biznesmen i lirë. Ai nuk ka marrë pjesë në tenderat e AKSHI-t dhe nuk ka kryer asnjë aktivitet të paligjshëm.”
Avokati shtoi se filmimet që janë përmendur në media lidhen me sigurinë e biznesit të Agasit, pasi atij i është tentuar vjedhja e pronës, dhe jo me ndonjë akuzë penale ndaj tij.
Përsa i përket lidhjes me Gerond Meçen, Haxhia tha se klienti i tij nuk e njeh personin dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me ngjarjen e rrëmbimit.
“SPAK thotë ato që do SPAK, por provat nuk e lidhin Agasin me fushën e tenderave dhe as me personin që është marrë peng,” përfundoi Haxhia.

