Nga Sebastian Zonja

Vlen të përshëndetet lëvizja e fundit e të dyja administratave amerikane, asaj Baiden dhe Tramp, për të stabilizuar situatën në Ballkan. Duke qenë se Brukseli dhe Uashingtoni e kanë vënë gishtin mbi plagë duke na treguar se ambiciet shovene të klasës politike në Beograd janë shkaku kryesor i krizave të shpeshta ballkanike, sanksionimi i “NIS”-it, rafinerisë së vetme të naftës në Serbi, është një nga veprimet më të qarta për të sjellë qetësi afatgjatë në rajon.

Kapaciteti industrialo-ushtark i Beogradit me ndihmën e lëndës së parë – gazit dhe naftës – nga Rusia është shqetësim për cilindo aktor ballkanik. Me sanksionimin e rafinerisë dhe detyrimin për të ndërtuar qasje energjetike në linjat perëndimore, Uashingtoni plotëson pjesën kryesore të pasivizimit të makinerisë së luftës në Beograd.

Së fundmi, presidenti serb Aleksandër Vuçiq njoftoi mundësinë e blerjes së aksioneve ruse të rafinerisë “NIS” nga Hungaria. Kjo lëvizje e Budapestit zgjeron sferën e influencës nën patronazhin e NATO-s. Racionaliteti i Budapestit me lëviz strategjikisht në koordinim të drejtëpërdrejtë me NATO-n për të ndërtuar këtë arkitekturë të re energjetike në rajon është më se i mirëpritur dhe për t’u përshëndetur nga Tirana dhe Prishtina.

Ndërkohë, sipas raporteve të Brukselit, shkalla e kapjes së shtetit nga klika sunduese në Beograd sjell paqëndrueshmëri në shkallë rajonale. Klika serbe, e cila motivon qëndrimin në pushtet me retorikë etnonacionaliste, tashmë duhet të zgjedhë se çfarë qëndrimi do mbajë. Tentativa për të mbajtur pushtetin si proevropianë teksa flirton me sistemin putinist ka shfaqur krisjet e veta. Protesta e gjatë e studentëve tregon pikërisht këtë çarje të thellë brenda shoqërisë serbe. Është në dorë të Parisit dhe Berlinit të përcaktojnë me kujdes se si do të sillen me një klikë të fortë, të korruptuar, e cila, pas disa dekadash në pushtet, ka mundësinë të destabilizojë Serbinë dhe vendet kufitare si Kosova, Bosnja dhe Mali i zi.

Është fat që Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë këtë dyzim për të udhëtuar drejt Bashkimit Evropian dhe sigurisë kolektive evropiane dhe amerikane. Momenti i parë janë masat parandaluese të marra nga Prishtina për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës që do t’i voliste Beogradit. Momenti i dytë është qendrimi i qartë dhe pa asnjë ekuivok i Tiranës si aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke ndërmarrë reforma të dhimbshme, që kanë kthyer krejt vëmendjen për stabilitetin ballkanik në Tiranë, si anëtare e NATO-s dhe vendi që po godet në mënyrë të pashembullt pandëshkueshmërinë me anë të strukturës së posaçme SPAK.

Luftërat ballkanike gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë janë paraqitur nga disa politikanë në Perëndim si “armiqësi shekullore”. Po të vërejmë këtë retorikë ka edhe presidenti aktual amerikan Donald Tramp. Vlen të theksohet se deklarata të këtilla vetëm se fshehin injorancën e emisarëve të huaj për rajonin, ose raportet që shkruajnë zytrarë të institucioneve të rëndësishme nga zyrat e tyre pa shkelur një herë në rajon. Shkaqet e luftërave janë më të gjera dhe më të thella ndërsa pasojat afatgjata.

Aktualisht, me këtë ndryshim të shpejtë që po ndodh në rendin e sigurisë kontinentale evropiane, më të aftët për ta shfrytëzuar vakumin janë shovinistët serbë. Fshehja pas gishtit me retorika boshe vetëm se zgjat lëngatën e rajonit. Pandemia ka sjellë rritje të madhe çmimesh dhe ndryshimin e zinxhirëve të furnizmit, lufta ruso-ukrainase ka sjellë inflacion të lartë dhe ndryshim të paradigmës së sigurisë evropiane, shtuar këtyre edhe strategjinë e re amerikane për t’u larguar nga Evropa janë elementë që na shqetësojnë të gjithëve, pasi duken si recetë e gatshme e shovinizmit serbomadh për të “gllabëruar” diçka prej njërit prej fqinjëve. Ata gllabërojnë me qëndru në pushtet, ne vuajmë pasojat e ambiguitetit strategjik evropian ndaj Serbisë. Është e domosdoshme me qenë syçelë ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli ndjekin strategjitë e tyre afatmesme për të stabilizuar rajonin.

Le të urojmë se në Beograd do ta fitojnë betejën forcat shoviniste të nëntokës kriminale me në krye presidentin dhe paramilitarët, që të izolohen më shumë nga Evropa dhe qytetarët atje ta kuptojnë se sa dhimbje kanë shkaktuar prej dekadash në rajon me zgjedhjen në krye të vendit të liderave që përhapin metastaza kancerogjene si brenda Serbisë, ashtu edhe përreth rajonit!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *