Federata Shqiptare e Futbollit po përgatitet të realizojë një investim të rëndësishëm infrastrukturore, me ndërtimin e një hoteli modern pranë kompleksit “Shtëpia e Futbollit”.

Projekti synon të krijojë kushte optimale akomodimi për të gjitha ekipet kombëtare shqiptare gjatë grumbullimeve dhe aktiviteteve zyrtare, duke nisur nga Kombëtarja A e djemve dhe vajzave, e deri te ekipet e moshave.

Hoteli do të ketë 5 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë, ndërsa në përbërjen e tij do të përfshihen ambiente të shumta funksionale, si restorante, salla konferencash dhe gjithsej 87 dhoma. Kapaciteti i tij do të mundësojë akomodimin e deri në katër ekipeve kombëtare njëkohësisht, veçanërisht gjatë zhvillimit të turneve apo aktiviteteve intensive sportive.

Po ashtu, projekti parashikon një kat të dedikuar parkimi, ambiente magazinimi, si dhe facilitete shtesë si pishinë dhe palestër, duke e kthyer hotelin në një strukturë bashkëkohore që plotëson standardet më të larta sportive dhe akomoduese.

Punimet pritet të nisin menjëherë pas miratimit të lejes së ndërtimit. Federata Shqiptare e Futbollit ka aplikuar tashmë për lejen përkatëse dhe aktualisht ndodhet në proces pritjeje.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *