Detaje të reja janë zbardhur lidhur me verën e sekuestruar disa ditë më parë në vinotekën e biznesmenit Ergys Agasi. Burime të sigurta bëjnë me dije se Drejtoria e Doganave ka sekuestruar vetëm 14 shishe verë nga i gjithë koleksioni që ndodhej në banesën e tij.

Pas kontrollit të ushtruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në banesën e Agasit, Drejtoria e Doganave u njoftua për praninë e një sasie të madhe vere, e dyshuar si e futur në mënyrë kontrabande dhe pa pulla fiskale. Në vijim, Dogana ka shkuar në banesë dhe ka mbajtur procesverbal mbi sasinë e shisheve të verës që ndodheshin aty në atë moment.

Megjithatë, sipas burimeve, në mbrëmjen pas largimit të agjentëve të Doganave, në banesën e Ergys Agasit ka hyrë kushëriri i tij, Eno Agasi, i cili dyshohet se ka larguar pjesën më të madhe të verës nga ambientet e kontrolluara.

Kur agjentët e Drejtorisë së Doganave, së bashku me strukturat e antikontrabandës, janë rikthyer mëngjesin pasardhës për të kryer sekuestrimin, kanë gjetur vetëm 14 shishe verë, të cilat edhe janë marrë si prova materiale.

Sipas burimeve të Dosja.al, dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit nga vera e futur në mënyrë kontrabande kap vlerën mbi 1 miliard lekë. Në këtë shumë përfshihen detyrimet doganore, akciza si dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *