SPAK-u ka kaluar për gjykim dosjen ndaj mjekut të njohur kardiolog, Edvin Prifti, i cili dyshohet se ka marrë ryshfet për 7 operacione.
Mjeku akuzohet për “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “fshehje të të ardhurave” dhe “pastrim parash”. Prifti ka mohuar të gjitha akuzat.
Ai u vendos nën akuzë më 11 shkurt 2021, si pjesë e një hetimi që përfshinte 12 persona të tjerë, të cilët dyshohej se synonin të lironin disa të burgosur në burgun e Fushë-Krujës kundrejt përfitimeve monetare.
Sipas hetimeve, Prifti ka marrë ryshfet për operimin e nënës së njërës prej sekretareve të gjykatës së Krujës, të cilat në atë kohë ishin nën përgjim.

