Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka dhënë intervistën e tij të parë publike pas marrjes së detyrës, ku ka bërë të ditura prioritetet kryesore të drejtimit të tij, me theks të veçantë rritjen e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Braho u përball me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që përpara marrjes zyrtare të detyrës, kur u paraqit në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të kërkuar autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga paraardhësi i tij, Altin Dumani, u zhvillua tre ditë më vonë.

Në një intervistë për BIRN, Braho theksoi se fokusi kryesor i SPAK do të mbetet garantimi i barazisë para ligjit, duke nënvizuar se askush nuk do të jetë mbi të. Sipas tij, institucioni do të vijojë me hetime të thelluara për çështjet në proces, pa asnjë kompromis apo ndikim politik.

Kreu i ri i SPAK deklaroi gjithashtu se një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet verifikimit të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe konfiskimit të tyre, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta.

SPAK, institucion që gëzon nivelin më të lartë të besueshmërisë publike në vend, vijon të ketë mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Sipas Brahos, kjo mbështetje është një përgjegjësi shtesë për të garantuar profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë në çdo veprim të institucionit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *