Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndajë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët si shtesë për fundvitin. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Kurti ka theksuar se, pavarësisht vështirësive të krijuara nga mosvotimi i buxhetit nga opozita, Qeveria ka arritur të sigurojë mbështetjen financiare edhe për këtë vit. Sipas tij, shtesat prej 100 eurosh do të procedohen para natës së Vitit të Ri.
“Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët. Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur t’i mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, por kemi bërë të pamundurën që mbështetja të mos mungojë”, ka shkruar Kurti.
Në fund të mesazhit, kryeministri në detyrë u ka uruar qytetarëve festat e fundvitit, duke i ftuar që t’i gëzojnë ato pranë familjeve të tyre.

