SPAK ka kërkuar nga Kuvendi leje për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar për ushtrim presioni dhe frikësim dëshmitarësh në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Sipas prokurorisë, një vartëse e Ballukut, Mirzeta Kashnica, ka dëshmuar se është detyruar nga ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, të firmosë dokumente për procedurën e prokurimit. SPAK thotë se presioni i ushtruar nga Balluku provohet edhe nga përgjimet e kryera gjatë hetimit.

Në dëshminë e saj të datës 10 nëntor 2025, Kashnica shprehet se në procedurën e parë të tenderit, e cila më pas u anulua, operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fitues. Ajo deklaron se këtë qëndrim ua ka komunikuar me email anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë.

Sipas saj, menjëherë pas dërgimit të emailit, ajo është telefonuar nga Evis Berberi, i cili i ka kërkuar të mos shprehej me shkrim, duke i komunikuar se procedura do të anulohej pasi asnjë operator ekonomik nuk ishte në rregull.

Kashnica deklaron gjithashtu se ka firmosur procesverbalin e datës 18 mars 2021, me të cilin u anuluan të gjitha ofertat, pasi është trysnuar nga Berberi, të cilin e përshkruan si personin që diktonte vendimmarrjen e komisionit.

Në lidhje me procedurën e rishpallur të tenderit, ajo shprehet se anëtarët e tjerë të komisionit merrnin vendime pa të dhe e intimidonin për qëndrimet e saj.

SPAK thekson se frikësimi i dëshmitarëve nga Balluku përbën një nga arsyet kryesore për të cilat është kërkuar leja e Kuvendit për arrestimin e saj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *