Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkaktuar reagime të shumta pas fjalimit tradicional të Krishtlindjes, gjatë të cilit u interpretua se la të kuptohet një dëshirë për fundin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Duke iu referuar një besimi të vjetër ukrainas se në prag të Krishtlindjes “qiejt hapen” për dëshira, Zelensky deklaroi se “të gjithë ukrainasit kanë një ëndërr”. Ai shtoi se secili mund të mendojë për zhdukjen e së keqes, por se lutja drejtuar Zotit është për diçka më të madhe, deklaratë që u interpretua gjerësisht si referencë ndaj Putinit.
Zelensky theksoi se lutja e popullit ukrainas mbetet paqja. “Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Luftojmë për të dhe lutemi për të. E meritojmë që çdo familje të jetojë në harmoni dhe çdo fëmijë të rritet me besim në të mirën dhe në mrekullitë”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, presidenti ukrainas dënoi ashpër edhe sulmet e fundit ruse, duke i cilësuar si çnjerëzore dhe në kundërshtim me vlerat fetare, një ditë pasi Moska kishte lëshuar qindra raketa dhe dronë drejt Ukrainës, sulme që lanë viktima dhe të plagosur.
Zelensky ka deklaruar edhe më herët se vdekja e Putinit do të sillte fundin e luftës. Ndërkohë, Ukraina po shënon Krishtlindjen e katërt nën luftë dhe ka prezantuar një plan të ri paqeje me 20 pika, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Plani parasheh disa kompromise territoriale, përfshirë shndërrimin e një pjese të Donbasit në zonë të lirë ekonomike dhe brez të demilitarizuar, si dhe garanci të forta sigurie për Kievin. Ndërsa SHBA-ja e ka mbështetur këtë qasje si kompromis, Moska vazhdon të kërkojë dorëzim të plotë të territoreve të aneksuara.

