Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje të të drejtave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një ekzaminimi mjekësor të kryer në kushte burgimi, ku i është cenuar privatësia mjekësore nga prania e Policisë së Burgjeve.
Ky është përfundimi i raportit të Avokatit të Popullit, pas verifikimeve të nisura mbi ankesën e Veliajt, i cili ka pretenduar se gjatë një kolonoskopie nuk është lënë vetëm me mjekët, por në sallë ka qenë i pranishëm edhe një efektiv i Policisë së Burgjeve.
Pas vizitës urgjente mjekësore të datës 31 korrik, Veliaj ka njoftuar Avokatin e Popullit për shkelje të dinjitetit dhe privatësisë. Në raportin që Top Channel disponon, thuhet se komisionerët kanë pyetur mjekët që kryen ekzaminimin, të cilët kanë pohuar se kryebashkiaku kishte kundërshtuar praninë e policisë gjatë kolonoskopisë.
“U kam kërkuar punonjësve të presin jashtë,” citohet një nga mjekët, “por ata nuk kanë pranuar, duke thënë se e kanë për detyrë të zbatojnë rregullat e sigurisë të miratuara në këto raste.”
Nga këqyrja e ambientit ku u krye ekzaminimi, komisionerët konstatojnë se dhoma ishte e hapur dhe e pandarë, çka e bënte të pamundur shmangien e shikimit apo dëgjimit të procedurës mjekësore nga persona të tretë.
Ndërkohë, në përgjigjet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, konfirmohet se Veliaj, gati një muaj pas arrestimit, vlerësohej si i burgosur me risk standard dhe jo me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye, Avokati i Popullit arrin në përfundimin se prania e policisë gjatë vizitës mjekësore ishte e panevojshme.
Megjithatë, në katër shkresa zyrtare, Drejtoria e Burgjeve i ka argumentuar Avokatit të Popullit se prania e policisë është bazuar në një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të datës 21 janar 2019. Për këtë arsye, Avokati i Popullit rekomandon ndryshime urgjente të këtij urdhri.
Sipas rekomandimit, prania e policisë gjatë vizitave mjekësore që duhet të mbeten konfidenciale duhet të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme sigurie dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për respektimin e dinjitetit njerëzor.
Ky vendim konsiderohet si fitorja e dytë ligjore për Veliajn, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, si i pandehur nga SPAK për korrupsion, Veliaj i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shpalljen të paligjshme të masës së sigurisë “arrest në burg”. Kushtetuesja ende nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Gjykimi paraprak ndaj 30 të pandehurve, mes tyre edhe Erion Veliaj, është shtyrë për në datën 5 janar, pas kërkesave të vazhdueshme për vënien në dispozicion të fashikujve të hetimit.

