Përgjimet e përfshira në një dosje hetimore prej rreth 16 mijë faqesh të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) hedhin dyshime se koncesioni me vlerë 1.3 miliardë euro për ndërtimin e autostradës Thumanë–Kashar ishte paracaktuar në favor të biznesmenit Bashkim Ulaj, një vit përpara shpalljes zyrtare të tenderit.
Sipas materialeve hetimore, procedura për këtë projekt infrastrukture dyshohet se është ndërtuar mbi marrëveshje të paraprira, në shkelje të parimit të garës së hapur dhe të barazisë në tendera. SPAK-u po heton nëse koncesioni është favorizuar përmes vendimmarrjes së koordinuar mes zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të interesuar privatë.
Në qendër të hetimit janë biseda të përgjuara mes zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi. Nga përmbajtja e këtyre komunikimeve, sipas SPAK-ut, rezulton se koncesioni Thumanë–Kashar është diskutuar konkretisht me Bashkim Ulajn përpara hapjes së procedurës tenderuese.
Në një komunikim të datës 15 qershor 2021, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit se kishte zhvilluar një takim me Bashkim Ulajn, ku, sipas dosjes, është folur për koncesionin Thumanë–Kashar, i cili tashmë është nën hetim si një aferë e dyshuar korruptive.
SPAK-u po verifikon nëse ka pasur manipulim të tenderit, shpërdorim detyre dhe bashkëpunim për favorizimin e një subjekti të caktuar ekonomik. Deri në këtë fazë, hetimi ndodhet në proces dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar.

