Një ngjarje e rëndë që ngre dyshime serioze mbi sigurinë e strukturave shtetërore dhe lidhjet e mundshme me krimin e organizuar është denoncuar publikisht nga gazetari Basir Çollaku. Sipas informacionit të siguruar prej tij, një oficer karriere i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dyshohet se është rrëmbyer dhe torturuar nga struktura kriminale, vetëm pak kohë pasi kishte dorëzuar në sistemin e brendshëm një material të konsideruar delikat.
Burimet bëjnë me dije se materiali i përgatitur nga oficeri ekspozonte veprimtarinë e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në jug të vendit dhe ishte menduar të shërbente si bazë për një kallëzim penal në Prokurori.
Sipas denoncimit, oficeri dyshon se është dekonspiruar nga eprorë apo kolegë të tij brenda strukturave shtetërore, të cilët mund të kenë shpërndarë informacionin konfidencial tek persona të tretë. Kjo tradhti e dyshuar, sipas burimeve, mund të ketë çuar drejtpërdrejt në rrëmbimin dhe dhunimin e tij.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth katër deri në pesë muaj më parë, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga SHISH apo organet ligjzbatuese lidhur me këtë denoncim të rëndë.

