Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është goditur nga një sulm i madh me raketa balistike të ushtrisë ruse, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të qytetit, raportojnë mediat ukrainase.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se në disa zona janë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe se alarmi për sulme ajrore është aktivizuar në të gjithë qytetin. Sipas tij, sistemet e mbrojtjes ajrore janë vënë në funksion, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë në strehimore deri në njoftim të mëtejshëm.
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të udhëtojë drejt Floridës për një takim me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus do të jenë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit.
Zelensky ka lënë të hapur mundësinë e thirrjes së një referendumi lidhur me planin “20-pikësh” të propozuar nga Uashingtoni, por ka vendosur si kusht paraprak një armëpushim 60-ditor nga Rusia, për të garantuar përgatitjen dhe zhvillimin e procesit të votimit.
Gati katër vjet pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, përpjekjet diplomatike janë intensifikuar javët e fundit, megjithëse Kievi dhe vendet evropiane e kanë cilësuar planin fillestar amerikan si tepër të favorshëm për Moskën. Në versionin e rishikuar, Zelensky propozon ngrirjen e vijës së frontit, pa zgjidhje të menjëhershme për pretendimet territoriale ruse që përfshijnë rreth 19 për qind të territorit ukrainas.

