Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor, duke e cilësuar atë si fitoren më të madhe të shënuar ndonjëherë në historinë e Kosovës.

Sipas të dhënave preliminare, pas përpunimit të mbi 96 për qind të vendvotimeve, Vetëvendosje bashkë me partnerët ka siguruar afërsisht 50 për qind të ulëseve në Kuvend. Kjo i hap rrugë formimit të Qeverisë së re vetëm me mbështetjen e përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.

“Me 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa me 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit”, ka deklaruar Kurti gjatë shpalljes së rezultateve.

Ai theksoi se pas certifikimit zyrtar të rezultateve do të nisin menjëherë procedurat për krijimin e institucioneve të reja dhe vazhdimin e projekteve qeverisëse. Kurti përmendi edhe marrëveshjet ndërkombëtare që e presin vendin, duke bërë thirrje për bashkëpunim parlamentar.

“Na presin shumë angazhime të rëndësishme. Duhet të ecim përpara pa humbur kohë. Pasi të certifikohen rezultatet, do të formojmë institucionet dhe do të vazhdojmë me punën e mirë. Në agjendë kemi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian me vlerë 880 milionë euro, si dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë eurosh. Ftoj partitë opozitare të bashkëpunojmë në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare dhe interesin publik të qytetarëve”, u shpreh Kurti.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *