Protesta e qytetarëve të Vlorës ka nisur me tensione këtë të hënë, teksa qyteti po përballet me ditën e pestë radhazi pa furnizim me ujë të pijshëm. Dhjetëra banorë janë mbledhur para godinës së Bashkisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën e krijuar.
Me bidonë uji në duar dhe duke goditur dyert e institucionit, protestuesit kanë tentuar të futen brenda Bashkisë për të kërkuar takim me kryetaren Brunilda Mersini, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Qytetarët shprehen të revoltuar, duke theksuar se mungesa e ujit po ua vështirëson ndjeshëm jetën e përditshme, sidomos për familjet me fëmijë.
“Duam ujë, pa ujë nuk ka jetë. Kemi pesë ditë pa ujë, po zihemi me fëmijët sepse duan të lahen. Po vjen viti 2026 dhe ne jemi ende pa ujë. Duhet t’ju vijë turp. Ju kemi zgjedhur me vota, i paçit haram votat tona”, shprehen protestuesit gjatë tubimit, duke kërkuar përgjegjësi dhe zgjidhje të menjëhershme nga autoritetet lokale.

