Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit. Ajo tha se po pret formimin e institucioneve të reja dhe se do të zhvillojë bisedime me partitë politike për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.
Osmani theksoi se do ta vazhdojë angazhimin politik edhe në rast se nuk rizgjidhet presidente. Ajo bëri të ditur se do të takojë të gjitha partitë shqiptare për të diskutuar mundësinë e reflektimit të vullnetit qytetar, duke u bazuar në matjet që, sipas saj, tregojnë se rreth 81 për qind e qytetarëve dëshirojnë që ajo ta ketë edhe një mandat të dytë. Sipas Osmanit, mbetet në vullnetin e deputetëve të parlamentit të ri nëse ky vullnet do të materializohet.
Presidentja ritheksoi se çështja e zgjedhjes së saj është kompetencë e Kuvendit të ri, por siguroi se angazhimin politik nuk do ta ndërpresë, pavarësisht vendimit që do të merret.
Po ashtu, Osmani paralajmëroi lajme të mira në fillim të vitit të ardhshëm, duke thënë se bashkë me ekipin e saj ka punuar intensivisht me shtetet që kishin paralajmëruar ngrirje të raporteve me Kosovën. Ajo deklaroi se ka arritur t’i rikthejë dhe rikonfirmojë njohjet nga pothuajse të gjitha këto shtete, duke e cilësuar këtë proces si njohje të reja për Kosovën.

