Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se do të diskutojë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, mundësinë e vendosjes së trupave turke në Rripin e Gazës, si pjesë e një force ndërkombëtare stabilizimi.
Trump theksoi se mban një “marrëdhënie të shkëlqyer” me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke nënvizuar se kjo çështje do të jetë pjesë e bisedimeve të ardhshme. “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Erdogan dhe do të flasim për këtë. Nëse vlerësohet si e përshtatshme, mendoj se mund të jetë një zgjidhje e mirë”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në kuadër të planit të armëpushimit prej 20 pikash të propozuar nga Trump për Gazën, i cili parasheh krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF), me synim garantimin e sigurisë dhe stabilitetit pas konfliktit.
Bisedimet pritet të hedhin dritë mbi rolin e mundshëm të Turqisë dhe qëndrimin e Izraelit lidhur me këtë iniciativë, në një moment delikat për zhvillimet në Lindjen e Mesme.

