Policia e Shtetit ka dalë me një apel publik drejtuar qytetarëve, duke i ftuar që të tregohen të kujdesshëm ndaj mesazheve dhe linqeve të dyshimta që qarkullojnë në aplikacionin “WhatsApp”. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një fushatë mashtruese që synon marrjen e kontrollit të llogarive personale të përdoruesve.
Këto mesazhe zakonisht paraqiten si kërkesë për votim për fitimin e një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin. Policia dyshon se dërguesit mund të kenë rënë më herët pre e këtij mashtrimi, duke bërë që mesazhi të përhapet më pas edhe te kontaktet e tyre.
Më poshtë, reagimi i Policisë së Shtetit paraqitet i plotë dhe pa ndryshime:
NJOFTIMI I POLICISË
Policia e Shtetit/ Paralajmërim për fushatë phishing në platformën “WhatsApp”. Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik paralajmëron qytetarët për qarkullimin e një fushate mashtruese (phishing) në platformën “WhatsApp”.
Këto mesazhe paraqiten si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin, i cili dyshohet se mund të ketë rënë më parë pre e këtij mashtrimi, duke sjellë më pas përhapjen e mesazhit te kontaktet e tij.
Mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë.

