Mbi 13 mijë familje pronarësh do të përfitojnë kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi, ku njoftoi se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekësh është miratuar dhe do të kalojë në llogaritë bankare të përfituesve gjatë ditës së sotme dhe në ditët në vijim.

Sipas ministrit, ky fond përfaqëson pjesën e mbetur prej 30% të kompensimit që u takonte subjekteve, duke përmbyllur kështu procesin e shlyerjes së plotë të së drejtës së pronësisë për këta pronarë.

Lamallari theksoi se ka kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave që procesi të ecë me ritme sa më të shpejta, me transparencë të plotë dhe në respekt rigoroz të ligjit, si pjesë e detyrimit institucional ndaj pronarëve dhe angazhimit për standardet evropiane dhe shtetin e së drejtës.

“Sapo miratuam listën me 3,527 subjekte që kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për pjesën e mbetur prej 30%. Me një fond prej rreth 1.4 miliardë lekësh, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjesht një akt financiar, por një akt drejtësie, respekt për pronën, ligjin dhe qytetarin,” u shpreh ministri.

Ai shtoi se me këto pagesa, kompensimi për familjet e përfshira në listën e publikuar në faqen zyrtare të ATP-së konsiderohet i përfunduar dhe se mbyllet një kapitull i vjetër. Njëkohësisht, qeveria mbetet e vendosur të vijojë procesin e kompensimit për të gjithë pronarët e tjerë, në përputhje me ligjin dhe angazhimet evropiane.

“Teksa përparojmë çdo ditë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, kompensimi financiar ndaj pronarëve është përmbushje e zotimit të qeverisë shqiptare ndaj të drejtës së tyre të njohur me ligj,” përfundoi ministri, duke uruar edhe festat e fundvitit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *