Analisti Fatos Lubonja ka dhënë leximin e tij për konferencën e fundvitit të Kryeministrit Edi Rama me gazetarët, duke u ndalur veçanërisht te deklaratat që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Duke komentuar paralajmërimin e Ramës për ndërhyrje në ligjet e drejtësisë, Lubonja e cilësoi këtë si një sinjal se drejtësia duhet të vihet “në rresht”, përndryshe rrezikon të përballet me presion institucional. Sipas tij, mesazhi i Kryeministrit lë të kuptohet se, nëse drejtësia nuk sillet sipas pritshmërive të qeverisë, do të përdoret “forca e kartonit”.

Lubonja theksoi gjithashtu se Kryeministri mban standarde të dyfishta në raport me drejtësinë, duke sjellë si shembull qëndrimet e tij në rastin e Arben Ahmetajt dhe atë të Erion Veliajt.

Sipas analistit, Rama përdor shpesh “çerek të vërteta”, duke i paraqitur ato si të vërteta të plota. Ai iu referua deklaratës së Kryeministrit për numrin e të arrestuarve dhe të dënuarve në vend, duke vënë në dyshim saktësinë dhe mënyrën e interpretimit të këtyre shifrave.

“Kjo është mënyra e tij e të qeverisurit, raporti i tij me të vërtetën dhe me mediat, që dikur i quante ‘kazan’ dhe sot ‘tenxhere’,” u shpreh Lubonja.

Duke iu rikthyer çështjeve konkrete, ai tha se pas arrestimit të Erion Veliajt në fillim të vitit, Kryeministri nuk duhet të flasë për drejtësinë sipas interesave apo rreziqeve politike. Lubonja theksoi se Rama ka mbajtur qëndrime të ndryshme për prokurorinë në raste të ndryshme, duke e quajtur “të butë” në rastin Ahmetaj, ndërsa duke folur ndryshe në rastin Veliaj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *