Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ku përplasja e dy automjeteve ka rezultuar fatale për tre të rinj, ndërsa një vajzë 20-vjeçare ka arritur të mbijetojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën Klejdi Myftari (24 vjeç), Anxhelo Ruci (28 vjeç) dhe Martin Dulaj (26 vjeç), të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje. E reja Arsida Demiri (20 vjeçe) është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe emergjencës, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë.

