Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2026, duke vlerësuar dekadën e fundit si një periudhë transformimi të thellë për vendin. Në mesazhin e tij, Rama theksoi se Shqipëria mbyll vitin më lart se sa e nisi, ndërsa nënvizoi se objektivi kryesor i qeverisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Rama deklaroi se falë mbështetjes qytetare dhe mandatit të fortë qeverisës, Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në dhe sot konsiderohet një vend udhëheqës në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se këto rezultate nuk janë rastësi, por produkt i punës së qindra institucioneve dhe mbi një mijë zyrtarëve të përfshirë në procesin negociues.
Kreu i qeverisë përmendi gjithashtu investimet në infrastrukturë, rritjen e ndjeshme të turizmit, zhvillimin e energjisë dhe dixhitalizimin e shërbimeve publike, duke e cilësuar e-Albania si një histori suksesi kombëtar dhe ndërkombëtar. Sipas tij, këto projekte kanë ndryshuar realisht jetën e qytetarëve dhe kanë rritur dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Rama pranoi se gjatë këtij rrugëtimi kanë pasur gabime, rrëshqitje apo edhe “mëkate” nga individë brenda mazhorancës, por theksoi se këto nuk e zbehin përmasën historike të transformimit të vendit. Ai garantoi se procesi i reformave dhe zhvillimit do të vijojë pa ndalim dhe u uroi shqiptarëve shëndet, mbarësi dhe më shumë përparim në vitet që vijnë.

