Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka alarmuar për situatën e sigurisë në veriun e vendit, duke theksuar se ekziston rreziku për sulme të ardhshme nga grupet kriminale të lidhura me ngjarjet në Banjska, të cilët aktualisht mbrohen nga pushteti në Serbi.
Në një intervistë për KosovaPress, Hoxha tha se “nuk përjashtohen mundësitë për sulme të tjera terroriste” dhe se brenda kufijve të Kosovës ka ende grupe që janë shpallur struktura ilegale dhe terroriste.
“Aktualisht situata është e qetë, por në veri është e brishtë. Një numër i madh i personave të përfshirë në rastin e Banjsës janë larguar në Serbi dhe mbrohen nga pushteti atje. Deri sa ata nuk japin llogari për veprat e kryera, gjithmonë ekziston potenciali që të sulmojnë vendin tonë, policinë apo institucionet tona”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se situata në veri është më stabile se më parë, duke theksuar koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si KFOR-i dhe EULEX-i, si dhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë. “Ne kemi kapacitete të mjaftueshme, informacione dhe inteligjencë për të ballafaquar çdo sfidë. Policët tanë janë të motivuar dhe të pajisur për detyrat e tyre. Shpresojmë që të mos ketë incidente, por nëse ka, do të jemi të gatshëm”, tha drejtori.
Që nga zgjedhjet lokale më 12 tetor, komunat veriore udhëhiqen nga Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi. Hoxha theksoi se aktualisht nuk ka probleme në bashkëpunimin me kryetarët e komunave, dhe se kompetencat e tyre për sigurinë janë të kufizuara. “Kryetarët e komunave kanë përgjegjësi të themelojnë Këshillin Komunal për Siguri, i cili mblidhet një herë në muaj për të diskutuar çështjet e rendit publik dhe sigurisë. Por roli kryesor mbetet tek Policia e Kosovës”, shpjegoi Hoxha.
Ai gjithashtu deklaroi se në veri do të ketë prezencë të njësive speciale, por jo në numër të madh, duke theksuar rëndësinë e monitorimit të rrugëve ilegale për të parandaluar incidente si rasti i Banjsës apo kontrabandat që ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit. “Çdo dislokim i njësive speciale bëhet sipas vlerësimit operacional dhe analizës së inteligjencës. Prezenca jonë mund të mos jetë numerike, por gatishmëria dhe efektshmëria e reagimit janë të larta”, përfundoi Hoxha.

