Policia e Tiranës ka arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes “Shqipëria bëhet”, të cilët morën pjesë në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, pas përplasjeve me efektivët e rendit.
Sipas burimeve zyrtare, Adriatik Lapaj është proceduar penalisht, ndërsa ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës, pasi ka pësuar dëmtime në kokë si pasojë e rrëzimit të një bombole gazi gjatë protestës. Në pranga kanë rënë Edison Haklaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima dhe Ergjys Llanaj.
Policia bën me dije se shtetasit E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, janë arrestuar, ndërsa materialet janë referuar në Prokurori për disa persona të tjerë, ndaj të cilëve ka nisur procedim penal. Ata akuzohen se gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, duke shkaktuar plagosjen e dy efektivëve, njëri prej të cilëve vijon të marrë mjekim në spital.
Gjithashtu, Policia ka referuar materialet në Prokurori për Adriatik Lapajn dhe dy persona të tjerë, pasi dyshohet se kanë zënë hapësirën publike përpara Kryeministrisë duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera pa leje, në kundërshtim me urdhrat e punonjësve të Policisë.

