Situata e krijuar nga përmbytjet në Kosovë vijon të jetë problematike edhe sot, duke detyruar dy komuna, Junikun dhe Malishevën, të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.
Zonat më të prekura mbeten Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova. Në këto rajone janë evidentuar vërshime në oborre, bodrume dhe segmente rrugore, ndërsa në Gjakovë është kërkuar evakuimi i mbi 20 familjeve, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në komunat e tjera, autoritetet raportojnë një gjendje relativisht të qetë dhe stabile, por situata vazhdon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përmes sistemit të komunikimit emergjent.
Për shkak të kushteve të krijuara dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe nisja e procesit mësimor, i cili do të fillojë më 12 janar.
Lidhur me vërshimet, gjatë së martës kanë reaguar përfaqësues të institucioneve shtetërore si dhe përfaqësues të partive politike në opozitë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët, duke vlerësuar reagimin e tyre me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po menaxhojnë situatën në terren në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore.

