Durrësi po përballet prej orësh me një situatë problematike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit. Mes tyre, një nga zonat më të prekura ka qenë Shkozeti, ku rrugët janë mbuluar nga uji, duke vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme të banorëve.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetin social X ka publikuar pamje nga zona e Shkozetit, duke fajësuar drejtpërdrejt qytetarët për përmbytjet e krijuara. Sipas Ramës, shkaku kryesor i situatës janë mbeturinat dhe shishet plastike që hidhen pa kriter nëpër fusha dhe anët e rrugëve, duke bllokuar kanalet kulluese.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det. Por kur shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht, sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë”, shkruan Rama, duke e shoqëruar reagimin me shënimin “Shkozet”.


