Një tregtare e zonës së 5 Majit, e prekur rëndë nga zjarri që përfshiu kapanonet, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj shërbimit zjarrfikës dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës. Ajo shprehet se ndërhyrja ishte e papërshtatshme dhe se mjetet e përdorura ishin të vjetruara dhe jashtë çdo standardi.
Sipas saj, është e papranueshme që Shqipëria të flasë për integrim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që përballimi i emergjencave bëhet me mjete zjarrfikëse të viteve ’80 dhe ’90. Tregtarja ngre dyshime edhe mbi pajisjet e përdorura për shuarjen e flakëve, duke theksuar se dëmet e shkaktuara janë të mëdha dhe se ajo renditet ndër më të dëmtuarat.
Ajo pohon se biznesi i saj mund të ishte shpëtuar, pasi në momentin kur mbërriti në vendngjarje, dy kapanonet e saj ende nuk ishin përfshirë nga flakët. Sipas dëshmisë, zjarri është përhapur fillimisht nga pjesa e sipërme dhe më pas ka përfshirë kapanonet.
Në deklaratën e saj, tregtarja kritikon ashpër edhe rolin e policisë gjatë ngjarjes, duke thënë se efektivët nuk ndërhynë për të ndihmuar, por qëndruan duke vëzhguar situatën, ndërsa tregtarët u trajtuan sikur të ishin kriminelë.
“Zjarrfikëset janë jashtë standardit. Flasim për Evropë, ndërsa përdorim mjete të viteve ’80 dhe ’90. Nuk e di çfarë aparaturash kanë këto emergjenca për të shuar zjarrin. Dëmet janë shumë të mëdha. Jam një nga më të dëmtuarat. Këto kapanone mund të ishin shpëtuar. Kur kam ardhur, nuk ishin ende në zjarr. Zjarri erdhi nga lart dhe i përfshiu. Policia ishte aty dhe bënte sehir. Na trajtonin sikur ishim kriminelë”, u shpreh tregtarja.

