Prokuroria e Durrësit njoftoi të enjten, më 8 janar, fillimin e hetimeve për të zbuluar përgjegjësit e pasojave të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shumta gjatë ditëve të fundit në qytetin bregdetar. Procedimi është regjistruar kryesisht për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

“Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku, për shkak të reshjeve të vazhdueshme, u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqenien e tyre, por edhe dëme të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas njoftimit, gjendja e krijuar ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore dhe shëndetësore, ka shkaktuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe ka vënë në rrezik real jetën e qytetarëve. Po ashtu, është përmbytur edhe burgu i Durrësit, duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në juridiksionin territorial dhe lëndor të Prokurorisë së Durrësit. Këto rrethana konsiderohen të mjaftueshme për të konkluduar se ekziston një fakt penal.

Prokuroria bën me dije se, nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se si pasojë e kësaj situate ka humbur jetën shtetasi A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit e krijuar në zonë.

Me qëllim thellimin e hetimeve mbi shkaqet që çuan në këto pasoja dhe për të analizuar në mënyrë shteruese nëse ato kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga organet kompetente shtetërore ose të vetëqeverisjes vendore, prokuroria ka regjistruar kryesisht këtë hetim, nga i cili do të arrihet në përfundime për ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.

Prej të martës, disa qytete dhe fshatra në vend janë prekur rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes nuk ka publikuar ende një raport mbi dëmet, situata paraqitet problematike në disa zona të vendit.

Burimi: Reporter.al

https://www.reporter.al/2026/01/08/prokuroria-e-durresit-heton-per-shkaqet-dhe-pergjegjesit-e-permbytjeve/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *