Situata në Qarkun Durrës vazhdon të jetë kritike për shkak të reshjeve intensive dhe daljes nga shtrati të lumenjve, veçanërisht Erzenit. Sipas raportit të përditësuar më 08.01.2026, strukturat e emergjencave civile, bashkitë dhe institucionet qendrore janë në gatishmëri të plotë dhe monitorojnë situatën 24/7.
Bashkia Durrës
Në territorin e Bashkisë Durrës, situata është e rënduar pas daljes së lumit Erzen nga shtrati dhe rritjes së nivelit të Kanalit të Tonës. Janë dëmtuar rreth 500 metra linearë të argjinaturës në Katund të Ri dhe Sukth.
Në terren janë angazhuar 448 forca operacionale nga bashkia, ndërmarrjet në varësi, UKD, Policia Bashkiake dhe e Shtetit, OSHEE, mjekë të familjes, Rezervat e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë vendosur mjete të rënda, gomone, pompa dhe personel.
Deri tani janë evakuuar 667 banorë: 336 në Sukth, 53 në Katund të Ri, ndërsa të tjerët janë akomoduar në Kavalishencë, Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe Kompleksin “FAFA”. Janë shpërndarë 700 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore, ndërsa organizata humanitare “Qatar Save the Children” dhe “Fundjava Ndryshe” ofrojnë ndihma shtesë.
Deri në orën 20:00 janë verifikuar 2645 banesa dhe janë mbajtur 699 akte konstatimi, ndërsa procesi i verifikimit vijon. Në Katund të Ri dhe Sukth janë përmbytur rreth 6000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në Rrashbull rreth 400 hektarë. Raportohet edhe për rrëshqitje dherash dhe zona të pakalueshme.
Bashkia Krujë
Në Krujë, situata paraqitet problematike kryesisht në rrugë. Në Njësinë Administrative Thumanë janë evakuuar 7 familje për shkak të ujit në banesa. Lumenjtë Gjole dhe Zezë kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëmtime në argjinatura dhe përmbytje të rreth 600 hektarëve tokë bujqësore. Janë dëmtuar 50 banesa dhe 30 persona janë evakuuar.
Bashkia Shijak
Në Shijak, situata mbetet e vështirë në zonat Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj dhe Fllakë. Janë përmbytur 75 banesa dhe rreth 180 hektarë tokë bujqësore, ndërsa disa akse rurale janë të bllokuara. Raportohet edhe për dëmtime të argjinaturave në rreth 400 metra linearë.

