Reshjet e dendura të shiut vijojnë të shkaktojnë probleme të shumta në disa zona të vendit, duke sjellë përmbytje masive dhe vështirësi në qarkullimin rrugor. Gjatë natës janë raportuar rënie gurësh, inerte dhe prezencë e ujit në disa akse rrugore, çka ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se problematika janë evidentuar në disa segmente. Në aksin Qafë Dushk–Sevaster (km 10-11), qarkullimi kryhet vetëm me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, ndërsa në Valare–Erind–Çajup (km 7+600) ka rrëshqitje aktive dhe aksi mbetet i bllokuar. Në aksin Korçë–Dardhë (km 9+00) janë konstatuar shkarje anësore të trupit të rrugës, ndërsa në Përmet–Tre Urat, pranë Urës së Petranit, ka pasur shkarje masive aktive dhe zgjerim të çarjes rreth 10 cm. Rrëshqitje dherash janë shënuar edhe në Librazhd–Qafë Thanë, ndërsa në aksin Dushaj–Lekbibaj ka rënë një masiv shkëmbor në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi vijon me kujdes.

Situata paraqitet e rënduar edhe në fshatin Miliskajë të Krujës, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje masive. Për pasojë, disa banorë kanë mbetur në qiell të hapur prej katër ditësh, pasi banesat e tyre janë dëmtuar. Banorët shprehen për mediat se nuk mund të largohen nga zona, pasi aty kanë gjithçka, ndërsa theksojnë se deri më tani as shteti, as komuna dhe as bashkia nuk kanë shkuar për t’i ndihmuar.

Ndërkohë, në Bashkinë e Shkodrës raportohen 266 hektarë tokë të përmbytura. Prej tyre, 130 hektarë ndodhen nën ujë në fshatrat Obot dhe Muriqan, 35 hektarë kryesisht në Pentar dhe 101 hektarë në Velipojë. Sipas bashkisë, nivelet e lumenjve Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara, edhe pse kanë shënuar rritje krahasuar me 24 orë më parë.

Në qarkun e Durrësit, Prefektura ka publikuar raportin e përditësuar mbi situatën e krijuar nga reshjet, ku evidentohen përmbytje të konsiderueshme. Sipas autoriteteve, në Bashkinë Durrës janë evakuuar 848 banorë dhe po vijon procesi i verifikimit të dëmeve në banesa. Në zonën e Sukthit, rreth 2800 hektarë tokë vijojnë të jenë ende nën ujë.

Prefektura e Qarkut Durrës bën me dije se strukturat e bashkisë dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po e ndjekin situatën në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me Shtabin e Emergjencave Civile.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *